Nënkryetarja e partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në një deklaratë për mediat ka sjellë në vëmendje abuzimin seksual ndaj të miturve, adoleshentëve dhe grave.
Ajo e quajti një dukuri shqetësuese ndërsa evidentoi se në përkeqësimin e situatës është edhe mos veprimi në kohë i shoqërisë dhe institucioneve.
Fjala e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Jam sërish sot në këtë komunikim me ju, për të risjellë edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve shqetësimin e madh për një mori rastesh të rënda të dhunës e abuzimit seksual ndaj të miturve, ndaj adoleshentëve dhe grave.
Dikujt mbase i duket e tepërt, por në fakt dukuria është bërë tepër shqetësuese dhe në përkeqësimin e situatës ndihmon edhe indiferenca dhe mosveprimi në kohë i shoqërisë dhe institucioneve shtetërore.
Nisur nga rasti i një mjeku kirurg që po hetohet për abuzim seksual me një 16-vjeçare të mashtruar në moshën 14-vjeçare, gjykoj se është urgjente ndërhyrja e menjëherëshme, që sot se nesër do të jetë vonë, për ndryshime në kodin Penal, në mënyrë që të mbyllen të gjitha hapësirat që abuzuesit gjejnë për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve dhe grave është kthyer sot në një ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Studimet tregojnë se rreth 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga të rriturit dhe bashkë-moshatarët e tyre. Strudimet në Shqipëri, por edhe në nivel global, tregojnë se grabitqarët seksualë po përdorin internetin për gjetur viktimat e krimeve të tyre seksuale.
Policia e Shtetit raporton se thuajse çdo vit janë të paktën 120-150 krime seksuale që kryhen ndaj fëmijëve nën moshën 18 vjeç në Shqipëri, të cilat përbëjnë rreth 80% të të gjitha krimeve seksuale të kryera në vend.
Vetëm në janar, mediat raportuan 6 raste të dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve që përbëjnë ngjarjet më të rënda! Po sa ngjarje e raste të tjera po kaq të rënda nuk merren vesh sepse viktimat kanë frikë të flasin e të tregojnë?
Duke parë boshllëqet në legjislacionin tonë penal, pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta që janë bërë, në cilësinë e nënkryetares së Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” në bashkëpunim me CRCA / ECPAT Albania, më datë 27 janar kam depozituar në Kuvend projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Projekt-ligji kërkon të trajtojë ligjërisht duke zgjidhur një herë e mirë, aspektet e marrëdhënies seksuale të fëmijëve nën moshën 18 vjeç me të rriturit, duke e sjellë Kodin Penal në përputhje me Kushtetutën, e cila në nenin 56 të saj sanksionon mbrojtjen e posaçme për fëmijët.
Kjo nënkupton se një person i rritur nuk mund të ketë marrëdhënie seksuale me një fëmijë nën moshën 18 vjeç. Po në këtë aspekt, kjo mbyll edhe hapësirën ligjore, ku Kodi i Familjes lejon martesën e personit kur ka mbushur 18 vjeç, ndërkohë që Kodi Penal, i garantonte të drejtën një të rrituri të kishte marrëdhënie me fëmijë nën moshë, gjë që nga praktika është parë që kjo marrëdhënie është kthyer në situata shtrëguese, abuzuese apo shfrytëzuese për fëmijët nën moshën 18 vjeç, sidomos vajzat.
Ndryshimet që ne kemi propozuar prekin nenet 100, 101 dhe 117, që kanë të bëjnë përkatësisht me marrëdhëniet seksuale me të mitur, dhunën seksuale dhe pornografinë.
-Dënimin nga 10-15 vjet burg për cilindo të rritur që kryen veprime apo marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 16 vjeç,
-Dënimin me tridhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm në rastet kur vepra sjell si pasojë zhdukjen, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës,
-Dënimin me 7-10 vjet burg të akteve si nxitja, shtytja apo manipulimi i fëmijës për ta shtyrë drejt marrëdhënieve seksuale etj.
Ndryshimet që propzoimë në ligj janë URGJENTE, nisur nga natyra e veprës penale. Nuk mund të presim abuzimin e radhës që të kujtohemi për të ashpërsuar ligjet.
Përmes këtij ligji të ri kemi mundësinë ta bëjmë më të sigurt mjedisin ku rriten fëmijët tanë, duke krijuar një front të reagimit qytetar, duke rritur ndjenjën e përgjegjësisë së familjes, shkollës dhe me radhë gjithë të tjerëve.
Fakti që po punohet për të miratuar Kodin e ri Penal, nuk mund të jetë argument për ta shtyrë miratimin e propozimit. Përkundrazi, lejon hapësira që të mund të ndodhin raste të tjera.
Ndaj kërkoj futjen e tij sa më parë në procedurat e përshpejtuara parlamentare.
Çdo vonesë në mos inkurajon, u lë hapësirë abuzuesve të vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e fëmijëve tanë!
Ndaj që të mos jetë vonë nesër, është deryra jonë që të ndérhyjmë dhe të veprojmë që sot!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co