Gjatë 2 viteve të fundit me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK janë arrestuar 30 zyrtarë të administratës publike dhe 1 noter, si dhe janë shpallur në kërkim 3 zyrtarë të tjerë.
Ky numër statistikash është më i lartë, duke ditur që dy zyrtarë janë arrestuar nga 2 herë, një tjetër është shpallur në kërkim 2 herë, një i tretë pasi është arrestuar një herë dhe është liruar pas disa muajsh, është shpallur sërish në kërkim ndërsa dy zyrtarë janë proceduar tre herë, me situata të ndryshme masash. Përpos kësaj, gjatë këtyre dy viteve, dy nga zyrtarët e arrestuar janë cuar për gjykim në gjendje të lirë edhe për një çështje tjetër, ndërkohë që dy të tjerë janë cuar në gjykim pa masë sigurimi. Me gjithë këto, në total në dy vitet e fundit statistikisht janë proceduar nën masa të ndryshme 46 subjekte, të gjithë zyrtarë.
Për “shpërdorim detyre” dhe në disa raste edhe për “korrupsion pasiv” janë arrestuar 8 zyrtarë të ASHK Sarandë, 13 zyrtarë të Bashkisë Sarandë, 2 zyrtarë të ARZM Vlorë dhe Sarandë, 6 zyrtarë të IKMT, 1 zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, 1 noter, si dhe janë shpallur në kërkim 3 zyrtarë të ASHK Sarandë. Arrestimet janë shtrirë në dy raste në Vlorë dhe Tiranë për shkak të lidhjes që është gjetur në veprën penale me qytetin e Sarandës. Në dy raste prokuroria ka cuar për gjykim dy zyrtarë për të cilët SPAK kishte nisur më parë procedimin për ta, por dosja më pas është transferuar në Sarandë për moskopetencë.
Nga 31 zyrtarët e arrestuar, vetëm 15 kanë vuajtur një periudhë kohore në masën e sigurisë “Arrest në burg” nga 21 ditë deri në mbi 1 vit pasi ose masa u është lehtësuar më pas ose kanë përfunduar dënimin, ndërsa nuk dihet nëse kjo masë do të vazhdojë edhe për 6 nga të arrestuarit e ditës së djeshme, që mund të rrisë numrin në 21 pasi dy femrat e arrestuara në operacionin e fundit do të ndiqen në një masë të lehtë sigurie pasi janë nëna me fëmijë të mitur. 10 zyrtarët e tjerë menjëherë pas arrestimit janë lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” ose “Arrest në shtëpi”. Nën këto dy masa shumë prej tyre vazhdojnë ende, ndërsa disa e kanë lehtësuar në “Garanci pasurore”.
Në të gjitha këto operacione, përveç zyrtarëve janë arrestuar edhe 5 biznesmenë e qytetarë si dhe janë shpallur në kërkim apo ndjekur në gjendje të lirë edhe 3 biznesmenë e qytetarë të tjerë, si të lidhur në vepra penale me zyrtarët.
Nga të gjitha këto procedime, kanë marrë dënim përfundimtar të formës së prerë vetëm 3 zyrtarë dhe 2 qytetarë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet apo proceset gjyqësore për gjithë të tjerët, përveç një zyrtari që i është pushuar ndjekja penale me kërkesë të prokurorisë dhe me vendim të gjykatës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co