Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën e pronësisë për 24 hektarë tokë.
Hovenier ka thënë se ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
“Siç tha sot në mëngjes zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”,shkroi ai në rrjetin social “X”.
Vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është marrë në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën. Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Kurti u shpreh se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co