Forcat amerikane kanë sulmuar një raketë kundër anijeve të lëvizjes rebele Huthi në Jemen, duke theksuar se kjo raketë ishte bërë gati që të lëshohej të shtunën.
Sulmi i Shteteve të Bashkuara u krye disa orë pasi rebelët, që mbështeten nga Irani, sulmuan një cisternë britanike në Gjirin e Adenit, me municion të ngjashëm.
Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme të përbashkëta për të reduktuar aftësinë e Huthëve për të sulmuar anijet që kalojnë përmes një rruge kyçe në Detin e Kuq. Rebelët kanë thënë se sulmet ndaj anijeve janë në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës, ku Izraeli po zhvillon luftë me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Uashingtoni po ashtu ka kryer një sërë sulmesh të njëanshme ajrore, por Huthët janë zotuar se do të vazhdojnë sulmet e tyre.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se ka kryer edhe një sulm në orët e para të së shtunës ndaj “një rakete të Huthëve kundër anijeve që synonte Detin e Kuq dhe që rebelët ishin bërë gati që ta lëshonin”.
“Forcat sulmuan dhe shkatërruan raketën në vetëmbrojtje”, tha komanda përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Televizioni i Huthëve, Al-Masirah, raportoi të shtunën se SHBA-ja dhe Britania kanë kryer dy sulme ajrore në portin Ras Isa në provincën Hodeida të Jemenit, ku gjendet terminali kryesor i eksportit të naftës në Jemen.
Ende nuk ka konfirmim për këtë sulme nga SHBA-ja dhe Britania, ndërkaq Huthët nuk kanë dhënë detaje për madhësinë e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.
Një ditë më herët, një cisternë nafte britanike, e emëruar Marlin Luanda, u sulmua me raketa nga Huthët, tha zëdhënësi i rebelëve, Yahya Saree, duke pretenduar se si pasojë e sulmit, anija u dogj.
Komanda Qendrore amerikane më pas konfirmoi sulmin, duke theksuar se anija ka raportuar për dëme, por nuk është raportuar për të plagosur apo viktima.
Të premten, Huthët po ashtu lëshuan raketa balistike drejt një luftanije amerikane në Gjirin e Adenit. Por, ushtria amerikane tha se me sukses ka arritur të rrëzojë këtë raketë dhe nuk është raportuar./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co