Muaji i shenjtë i Ramazanit shënohet këtë vit nën hijen e luftës në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Jeruzalem Linda Gradstein, për këtë arsye ndjeshmëria tek besimtarët është më e madhe, në veçanti në xhaminë al-Aksa në pjesën lindore të Jeruzalemit, që është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame.
Zakonisht gjatë Ramazanit, palestinezët myslimanë festojnë me darka festive të përbashkëta pas një dite agjerimi. Por këtë vit ka pak atmosferë festive për festën, e cila fillon me 10 mars ndërkohë që lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po vazhdon në Gazë.
Mbi 30,000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së lidhur me Hamasin.
Sheiku Mohammed Hussein është myftiu i Jerusalemit dhe Palestinës dhe predikuesi kryesor në xhaminë al-Aksa. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se ekzistojnë një ndjenjë e përgjithshme shqetësimi në territoret palestineze dhe në mbarë botën për luftën në Gazë që po ndikon tek të gjithë palestinezët.
“Ka një shqetësim të përgjithshëm këtu dhe nëpër botë për atë që po ndodh tani ndërkohë që lufta po vazhdon në Gazë. Keni parë se si po protestohet nëpër gjithë botën duke kërkuar armëpushim. Kemi parë se si një i ri në Amerikë e dogji veten në shenjë proteste për atë që po ndodh në Rripin e Gazës. Shpresojmë për vendosjen e një armëpushimi dhe në veçanti para Ramazanit,” thotë ai.
Xhamia al-Aksa në Jerusalem konsiderohet si vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame, pas Mekës dhe Medinës. Qindra mijëra palestinezë falen në këtë xhami gjatë Ramazanit. Sheik Hussein thotë se lutja në al-Aksa është e rëndësishme për myslimanët gjatë Ramazanit.
“Xhamia e al-Aksës lidhet me besimin islamik. Njerëzit falen në al-Aksa sepse lutjet aty konsiderohen më me peshë se çfarëdo lutjesh të tjera. Në sytë e Zotit dukesh shumë i devotshëm dhe shpërblimi konsiderohet më me vlerë se në çfarëdo vendi tjetër,” thotë ai.
Vendi ku qëndron al-Aksa është vend i shenjtë edhe për hebrenjtë, për të cilët ai është i njohur si Mali i Tempullit dhe është vendi ku dy tempujt e parë hebrenj ishin ndërtuar dhe më vonë shkatërrur. Ky vend gjendet mbi Murin Perëndimor, vendin më të shenjtë për judaizmin.
Al-Aksa shpesh është shndërruar në arenë përplasjesh të dhunshme ndërmjet palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë dhe sulmeve të palestinezëve ndaj besimtarëve hebrenjë që kryejnë ritet fetare pranë Murit. Në fakt, Hamasi e quajti sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit, që nxiti luftën aktuale në Gazë – “Përmbytja al-Aksa”.
Ministri izraelit për Siguri Kombëtare Itamar Ben Gvir, që i takon vijës së ashpër, ka bërë thirrje për të kufizuar numrin e palestinezëve që u lejohet të hyjnë në al-Aksa gjatë Ramazanit. Por deri më tani, ai është kundërshtuar nga drejtuesit e forcave izraelite të sigurisë, të cilët thonë se kufizimet e tilla do të provokojnë dhunë.
Analistët palestinezë pajtohen.
Sipas opinionistit të gazetës arabe “al-Quds” në Jerusalemin lindor, Rasem Obeidat kufizimet dhe pengesat e vendosura nga Izraeli ndaj besimtarëve çuan në përplasje në vitin 2021.
“Në vitin 2021 ishim dëshmitarë se si kufizimet dhe pengesat e vendosura nga izraelitët ndaj besimtarëve çuan në përplasje. Nëse Netanyahu vazhdon me politikat e tij që të ndjekë këshillat e ministrit Ben Gvir, do të shohim të njejtën gjë,” deklaroi ai.
Pranë al-Aksës, njerëzit thonë se po e presin Ramazanin me padurim pavarësisht shqetësimeve të sigurisë.
“Nuk duam probleme, duam që askush të mos vdesë, të mos lëndohet. Duam vetëm paqe për Ramazan,” tha palestinezja Nadia Natche.
Për palestinezin Sead Eddin Al-Kazaz janë disa arsyet që e shtynë të shkojë në al-Aksa.
“Falem në al-Aksa për dy arsye. E para, për shpërblimin e Zotit. Secila lutje në al-Aksa është e barabartë me 500 lutje në sytë e Zotit. E dyta, prania jonë në al-Aksa është shumë e rëndësishme. Nëse unë nuk shkoj dhe të tjerët nuk shkojnë, do ta lëmë al-Aksën të zbrazët dhe ata do të vijnë dhe do ta marrin,” tha ai.
Izraeli nuk i lejon myslimanët e rinj të falen në al-Aksa as gjatë muajit të Ramazanit, për shkak të, siç thonë ata, shqetësimeve se do të përleshen me forcat izraelite. Policia gjithashtu njofton se po konsideron të kufizojë numrin e palestinezëve nga Bregu Perëndimor që do t’iu mundësohet hyrja në Jerusalem gjatë kësaj periudhe të tendosur./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co