Do të luajë Asllani apo jo? Shumë gjëra varen prej tij, teksa mesfushori u bashkua dje me grupin, duke punuar një seancë të plotë stërvitore dhe duke marrë ngarkesë të plotë, edhe pse me këmbën e fashuar, në vendin ku ka marrë atë goditje ditën e hënë.
Deri tani nga stafi mjekësor kanë dhënë garanci se Asllani mund të luajë, edhe pse mund t’i duhet të shtrëngojë dhëmbët për të përballuar ritmin e lartë të një ndeshjeje si ajo në Pragë, ku çekët do të kërkojnë revanshin pas turpërimit në “Air Albania” një vit më parë. Nëse 22-vjeçari do të jetë nga minuta e parë në fushë, atëherë emrat janë të njëjtë si në ndeshjet e muajit shtator, ku ndryshimi i vetëm pritet të jetë Daku në vendin e Manajt.
Pastaj pjesa tjetër fillon me Strakoshën në portë, Hysajn nga krahu i djathtë i mbrojtjes, Kumbulla dhe Ismajli në qendër dhe Mitaj majtas. Mesfusha plotësohet me Ramadanin dhe Laçin, ndërkohë Bajrami dhe Asani nga krahët do të mbështesin Mirlind Dakun. Ky është varianti i parë, por Silvinjo ka edhe një “plan B” sa i përket formacionit, gjithmonë nëse Asllani do të ndjejë shqetësime. Tërheqja e Laçit mbrapa në dyshe me Ramadanin dhe postimi i Bajramit në qendër, teksa në krah hapet vendi për Arbër Hoxhën. STËRVITJA- Kombëtarja ka vijuar me përgatitjet për dy ndeshjet kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për “Nations League”. Si zakonisht, seanca stërvitore nisi me punën në palestër dhe më pas kuqezinjtë zbritën në fushë për të bërë fillimisht përgatitje atletike. Më pas, trajneri Silvinjo dhe stafi teknik punuan edhe taktikisht me skuadrën. Seanca stërvitore zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.
Në një pjesë të mirë të stërvitjes, shenja pozitive dha edhe Ernest Muçi, i cili në një ushtrim u caktua si finalizuesi i aksionit, duke marrë çdo herë mbështetjen me britma të Silvinjos, i cili kërkon ta motivojë fantazistin dhe pse jo t’i besojë më shumë minuta këtë herë. Në pjesën e dytë të seancës, në fushë zbriti edhe Indrit Tuci, i cili direkt nga aeroporti u shfaq në stërvitje dhe me përgatitësin atletik Iris Selimi zhvilloi disa vrapime me ndryshim ritmi. Kuqezinjtë do të mbyllin sot përgatitjet në Tiranë dhe më pas skuadra do të udhëtojë drejt Pragës.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL