Studiuesi Bernd Fischer: Situata politike? Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë, ndryshe përfiton një parti…

studiuesi bernd fischer situata politike shqiperise i duhet nje opozite e forte ndryshe perfiton nje parti
studiuesi bernd fischer situata politike shqiperise i duhet nje opozite e forte ndryshe perfiton nje parti

Historian dhe autor i disa botimeve për Shqipërinë, Bernd Fischer vjen në një intervistë për “News 24” dhe Balkanweb mbi  librin “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”.

Ai ndalet në vijim në disa tema, dekomunstizimi, shkrimi dhe rishkrimi i historisë për vitet e komunizmit, lufta civile gjatë Luftës së Dytë botërore, zhvillimet në Akademinë e Shkencave, liria akademike dhe ndërhyrja e politikës. Në intervistë ai flet edhe për aktualitetin politik dhe nevojën për një opozitë të fortë për ta bërë demokracinë funksionale.

  • Zoti Fischer ne folëm ne intervistë për lentet politike që gjejmë në procesin e shkrimit apo rishkrimit të historisë. Së fundmi Instituti i Historisë i është bashkuar Akademisë së Shkencave. Ngaqë bashkimi u bë pa marrë miratim nga vetë studiuesit e Institutit të Historisë, procesi u interpretua si një proces me lente politike, pra sikur politika po e kontrollon ende historinë. Sigurisht ka shumë mënyra se si mund të funksionojë një institut studimesh historike. Si e shihni ju këtë bashkim  të bërë me forcë?  

Nuk mund të them se jam dakord  me politikën të përfshirë në këto lloj vendimesh. Mundem megjithatë të them se besoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të hiqet, të largohet  politika sa më shumë nga shkrimi i Historisë, përndryshe, nuk arrini një qasje objektive dhe nuk arrini me një  produkt objektiv. Por përsëri, ju e dini, unë në SHBA dhe lexoj për ato që ndodhin por nuk kam informacione të brendshme mbi procesin se si ndodhi kjo dhe ndikimin e tij. Ndoshta do të na duhet të presim për pak kohë për të zbuluar ndikimin e plotë. Shpresoj se kjo nuk tregon që ndikimi politik do të jetë më thelbësor sa supozohet në atë që bëjnë studiuesit.

  • Ju thatë që për të kuptuar Shqipërinë duhet të kuptojmë shqiptarët. Një mënyrë për të kuptuar shqiptarët është të shohësh çfarë po ndodh në Shqipëri. Kemi një parti në pushtet prej 10 vitesh, një opozitë të ndarë e të përçarë, një ish kryeministër e ish president në një situatë nongrate. Si ta kuptojmë Shqipërinë e shqiptarët në këto kushte?   

Unë mendoj se është e rëndësishme të pranohet se demokracia është një proces shumë i vështirë dhe kompleks dhe ndonjëherë edhe një proces i pisët. Dua të them, shikoni çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara, ku kemi pasur mbi 200 vjet demokraci dhe ende kalojmë nëpër periudha vështirësish ekstreme si kjo tani. Pra, nuk është ndoshta aq e pazakontë që në Shqipëri, e cila ka pasur shumë më pak përvojë me këtë lloj sistemi, ka ende disa probleme. Çdo sistem politik përfiton nga opozitat e fuqishme. Me fjalë të tjera, mendoj se është e shëndetshme që Shqipëria të ketë një opozitë të fortë. Në këtë pikë nuk e ka, pjesërisht edhe për shkak të konflikteve të brendshme në Partinë Demokratike. Mendoj se do të ishte në interes të Shqipërisë, nëse një parti e fortë opozitare do të ishte disi më e spikatur. Kjo është mënyra se si funksionon demokracia. Nëse keni vetëm një parti politike dhe përballë saj,  një seri partish më të vogla, është partia e madhe politike që merr të gjithë vendimet.

  • Me çfarë po punoni aktualisht? Çfarë dokumentesh janë në tryezën tuaj?

Kam një sërë projektesh, por prej shumë vitesh kam menduar të punoj për një biografi të Enver Hoxhës, që mendoj se duhet bërë në Shqipëri. Biografia është një mënyrë shumë e rëndësishme që njerëzit të mësojnë për historinë, sidomos për studentët sepse ju jep atyre mendime, ndjenja dhe marrëdhënie. Është  pasqyrë e një procesi politik dhe mendoj se ka vërtet nevojë për të këtu. Gjykoj se do të ishte e rëndësishme që të shkruheshin biografi për shumë nga figurat kryesore komuniste. Natyrisht do të duhen shumë vite për ta përfunduar, sepse është një proces kompleks, duke qenë se është një çështje e vështirë këtu.

  • Ju mendoni që njohja dhe analizimi i figurës së Hoxhës, do të shpjegojë atë që bëri?

Është e mundur. Padyshim që figura psikologjike e njerëzve ka një ndikim mjaft domethënës në mënyrën se si ata ecin në aspektin e jetës personale, në aspektet e situatës politike, por mendoj se është gjithashtu e arsyeshme të konkludohet se ka shumë ndikime mbi Hoxhën dhe politikat e tij.

  • Gjatë shekujve Shqipëria ka pasur shumë udhëtarë të huaj që kanë kaluar këtej dhe kanë shkruar për Shqipërinë. Shpesh ne e njohim të shkuarën tonë përmes memuareve të tyre. Jam e interesuar të di pse ju u afruat me Shqipërinë? Çfarë e veçoi Shqipërinë nga vendet e tjera të lindjes?

Shkaku ishte doktoratura ime në Universitetit e Kalifornisë dhe studiova me një nga studiuesit më të mëdhenj të Ballkanit në vitet 1970 dhe 1980. Ai quhej Dimitri Gjeorgjevic, një serb që ka shkruar shumë libra për politikën e brendshme serbe. Ishte në të vërtetë ndikimi i tij dhe sugjerimi i tij që të shikoja Shqipërinë dhe kjo ishte më 1971. Në atë moment, natyrisht, kishte shumë pak për të lexuar për shqipen dhe nuk ishte e mundur të vinte këtu.

  • Nëse nuk ishe pjesë e ndonjë partie komuniste diku në botë?

Por unë nuk isha, kështu që fillova të lexoja çdo gjë që gjeja dhe të bëja kërkime në arkiva të ndryshme të Evropës.  Publikimi i librit tim të parë ishte i vështirë në thelb për shkak të faktit se kishte kaq pak burime dytësore. Kishte materiale në arkivat e huaja por pamundësia për të ardhur këtu e bënte të vështirë. Gjithsesi, ishte ndikimi i këtij individi që u bë një mik shumë i ngushtë i imi që më solli në drejtim të historisë së Shqipërisë.

[embedded content]

  • Dhe si e shihni Shqipërinë nga vizita juaj e pare e deri sot?

Për herë të parë kam ardhur këtu në vitin 1989 me një grup nga Anglia. Atëherë kisha një pasaportë kanadeze ndaj arrita të hyja në Shqipëri. Përshtypja ime e parë se  po kthehesha në kohë 50 vite, një gjysmë shekulli sa i përket nivelit të zhvillimit dhe të infrastrukturës. Ishte një përvojë që më  hapi sytë. Ishte gjithashtu shumë pozitive në shumë mënyra. Takova njerëz të mrekullueshëm. Vendi ishte shumë i bukur edhe pse ishte shumë e vështirë të shkoje nga një qytet në tjetrin sepse nuk kishte rrugë. Por në atë kohë kisha studiuar shumë për Shqipërinë dhe në të vërtetë më ka shtuar vlerësimin për Shqipërinë dhe njerëzit këtu dhe më inkurajoi të bëj më shumë. Tani për sa i përket pyetjes suaj se çfarë ka ndryshuar. Epo, shumë gjëra kanë ndryshuar qartësisht. Kryeqyteti është bërë europian, sepse nuk ka shumë ndryshim me Sofjen apo Bukureshtin. Ndërsa në zonat rurale ndoshta pak më ndryshe në thelb për shkak të faktit se sigurisht që ka ende moszhvillim në shumë fusha. Është e qartë se ka varfëri në shumë zona. Dua të them ka rezultuar që shumë njerëz largohen nga vendi për të kërkuar mundësi diku tjetër.

  • Së fundmi Aleksei Navalny, lideri i opozitës Ruse u gjet i vdekur në burg. Shumë kundërshtarë opozitarë të regjimit në Shqipëri vdiqën si Sabiha Kasimati dhe u dënuan si Musine Kokalari e shumë emra të tjerë. Me vdekjen e Navalnyt shumë njerëz mendojnë se kjo që ndodh në Rusi është tregues për vende ku procesi e dekomunistizimit nuk u krye.

Oh ishte një gjë e tmerrshme. Është një tragjedi dhe sigurisht nga këndvështrimi im është shumë e qartë se regjimi në Rusi është përgjegjës. Ky është lloji i gjërave që shohim në regjimet totalitare. Rusia ka pasur mundësi të zgjedhë të qëndrojë pak a shumë sovjetike si Bjellorusia ose të kthehet drejt Perëndimit si Polonia dhe ju e dini, përvoja polake në vitet e para pas rënies së komunizmit ekonomikisht ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Rusia vendosi të mos e bënte këtë. Dhe si rezultat, unë nuk shoh aq shumë ndryshim midis viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik dhe situatës aktuale politike në Rusinë e sotme. Procesi i dekomunistizimit ndoshta luan rol por  jo vetëm ai.  

  • Ju kam parë të pranishëm në “Ditët e Kujtesës”. Cila është rëndësia e aktiviteteve të tilla në përballjen me të shkuarën dhe identitetin dhe mentalitetin që na lë ajo?

Oh, absolutisht. I kam ndjekur në vite “Ditët e kujtesës” dhe mendoj se ka shumë nevojë.

Një sondazh i OSBE-së në Shqipëri vite më parë tregoi se 40% e njerëzve kishin njëfarë nostalgjie për periudhën komuniste këtu dhe shumë prej kësaj përqindjeje vjen nga mosnjohja e plotë e së shkuarës. Padyshim që shumë prej atyre që kanë qenë pjesë e sondazhit janë të rinj dhe nuk e kanë përjetuar atë sistem por është e rëndësishme që të rinjtë të kuptojnë historinë e Shqipërisë për të mos e përsëritur ose thjesht ta kuptojnë dhe të ecin përpara.

  • Ndaj na duhet një libër për Enver Hoxhën?

Absolutisht. Unë mund të jap një kontribut në këtë drejtim, por  mos i mbani shpresat për shpejt sepse këto gjëra kërkojnë shumë kohë. Mendoj se e kam bërë të qartë respektin dhe dashurinë time për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe sigurisht që do të bëj çmos që të kontribuoj më tej për të kuptuar historinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →