Sulmi me granatë në Zveçan, flet serbi: U sulmova se bashkëpunova me shqiptarët

sulmi me granate ne zvecan flet serbi u sulmova se bashkepunova me shqiptaret
sulmi me granate ne zvecan flet serbi u sulmova se bashkepunova me shqiptaret

Në oborrin e një shtëpie në komunën e Zveçanit është hedhur një mjet shpërthyes, në orët e hershme të 18 prillit, me ç’rast janë shkaktuar dëme materiale.

“Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore”, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zherovnicë. Dragan Mllagjoviq konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një bombë u hodh në oborrin e shtëpisë së tij në orën 02:34 të 18 prillit.

Mllagjoviq është distributor i produkteve në veri të Kosovës i kompanisë “Devolli Vita Corporation” nga Peja. Ai tha se beson se arsyeja e sulmit ishte se, pasi ka shpërndarë produkte të qumështit të kompanisë nga Peja, ka nisur shpërndarjen në veri edhe të mishit të kësaj kompanie.

“Kur dola nga shtëpia rreth orës 06:00 me djalin tim, pash që xhamat e shtëpisë ishin thyer, dyert, fasada dhe furgoni im ishin dëmtuar. Kam kontaktuar policinë e cila ka ardhur për të kryer hetime”, tha ai, duke shtuar se në dhjetorin e vitit të kaluar, ka pasur një problem në aplikacionin e mesazheve, Telegram.

Radio Evropa e Lirë mëson se grupe në Telegram e kishin cilësuar atë si “tradhtar” dhe ishte publikuar fotografia e tij së bashku me 12 serbë të tjerë ku ishte shkruar mesazhi se ata ishin “mbeturinat më të mëdha të shoqërisë”.

“Kompania e djalit tim nisi shpërndarjen e qumështit dhe kosit nga Peja. Para një muaji kemi nisur me shpërndarjen e mishit nga Peja, i cili është i cilësisë së lartë dhe të cilin restorantet dhe dyqanet kanë filluar ta blejnë. Unë dyshoj, dhe i thashë policisë se arsyeja për gjithçka [shpërthimin] është se ne punojmë me ato kompani”, tha Mllagjoviq.

Ai shtoi se po i bën konkurrencë dikujt që merret me këtë biznes në 25 vjetët e fundit.

“Dhe, tash dikujt po i pengojmë dhe duan të na trembin me bomba, në mënyrë që të na ndalojnë. Tani që kemi nisur të merremi me këtë punë, ata duan të na trembin”, u shpreh Mllagjoviq, që tha se do të vazhdojë të punojë, pasi biznesi i tij është i rregullt dhe i ligjshëm.

“I gjithë veriu punon me shqiptarë. Pse mos ta bëj edhe unë, sepse jam i vetmi distributor që kam marr përsipër disa produkte dhe tani kam probleme. Pse mos të punoj dhe të punësoj dikë”, u shpreh ai.

Në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës – ku gjendet edhe Zveçani – të banuara me shumicë serbe, ka pasur incidente me mjete plasëse dhe zjarrvënie, por edhe dëmtim të pronës.

Më së shpeshti, cak i këtyre incidenteve kanë qenë serbët që kanë regjistruar makinat e tyre me targat e Kosovës, por edhe serbët që punojnë në institucionet e Kosovës./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →