Nuk duhen të dhëna të tjera për të kuptuar që Davide Fratezi ka një raport special me golin. Numrat flasin qartë për të. Ai ka statistika prej sulmuesi. Dopieta e shënuar ndaj Empolit përfaqëson vetëm aktin e fundit të një rrugëtimi që e ka parë si protagonist edhe pse jo gjithmonë titullar.
STATISTIKAT Në dy sezonet e fundit, ato që ka mbajtur veshur fanellën e Interit, Fratezi ka një bilanc shumë pozitiv me 11 gola të shënuar. Vetëm Hakan Çalhanoglu ka 17 gola nga mesfushorët, por 13 prej tyre i ka shënuar me penallti. Davide ka shënuar shumë herë më shumë sesa dyshja BarelaMkitarian që luajnë gjithmonë dhe kanë shënuar vetëm 3 gola gjatë kësaj periudhe. Si të mos mjaftojë fakti që shënon, mesfushori nga Roma di që të godasë edhe në mënyrën dhe kohën e duhur. Sezonin e kaluar ka arritur që të realizojë gola me peshë dhe të rëndësishëm si ai ndaj Veronës dhe Udinezes, në kohën shtesë për t’i dhënë skuadrës fitoret drejt titullit kampion.
PËRSHTATJE Fratezi ka edhe kualitetin që di të përshtatet shumë mirë dhe shpejt kur futet nga stoli. Kjo cilësi e ka bërë që të jetë një nga 4 mesfushorët italianë që ka arritur kuotën e 20 golave në Serinë A në 4 sezonet e fundit së bashku me Zakanjin, Pelegrinin dhe Kandrevën. Një tjetër e dhënë është fakti që interisti është lojtari më i ri nga të mësipërmit. Goleador me zikaltrit, por mbi të gjitha edhe me kombëtaren e Italisë. Nën menaxhimin e Luçiano Spaletit askush nuk i ka numrat si Fratezi. Ka arritur që të realizojë 7 gola në 17 ndeshje me fanellën e Kombëtares. I dyti në renditje është Mateo Retegi, golashënuesi aktual i kampionatit italian.
Sulmuesi i Atalantësn me fanellën e axurre ka arritur të realizojë 4 gola në 13 ndeshje. Por Fratezi është special, sidomos për raportin që ka me golin. Pas sfidës me Empolin madje shpërtheu ndaj gazetarëve. “Unë duket sikur jam gjithmonë në provim. Nuk kam asgjë për t’ju treguar të tjerëve. Zbres në fushë për të ndihmuar Interin dhe pastaj është trajneri ai që vendos kush luan titullar. Nuk duhet të tregoj sa vlej. Tashmë kam vite që luaj në nivele të larta. Dua vetëm që të jap kontribut për skuadrën dhe e di shumë mirë se çfarë lojtarësh ka Interi në dispozicion. Jemi grup fantastik që duam të arrijmë objektiva të mëdha dhe të luftojmë në 2 fronte”, përfundoi Fratezi.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL