Gjykata e Sarandës, nën drejtimin e gjyqtarit Fatmir Ndreu dhe me prokurore Armida Kaçi, ka vendosur sot masën e sigurisë “Burg pa afat” për shtetasin Admir Ferik Beqiri, 42 vjeç, i dyshuar si autori i vrasjes së 65-vjeçarit Gëzim Bizgjoni, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 6 tetor 2024 në fshatin Gjashtë, bashkia Sarandë.
Ky vendim erdhi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gjashtë, ku shtetasi Admir Beqiri goditi për vdekje 65-vjeçarin Bizgjoni, pas një konflikti, sipas burimeve për uljen e zërit të muzikës.
Gjatë seancës gjyqësore, në gjendje të qetë Admir Beqiri u shpreh se se se ka qenë “i papërgjegjshëm për veprimin që ka kryer”, duke pretenduar se kishte qënë nën efektin e alkoolit, pasi kishte pirë shumë atë mbrëmje dhe nuk e kishte kontrolluar veten në momentin e ngjarjes.
Prokurorja Armida Kaçi theksoi rëndësinë e masës së sigurisë duke argumentuar se rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe ndikimi i mundshëm në hetimet e mëtejshme e bën të domosdoshme mbajtjen në burg të autorit deri në përfundimin e procesit.
Gjyqtari i seancës Fatmir Ndreu, e quajti të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Admir Beqiri kryer nga policia gjyqësore në datë 06.10.2024, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje” dhe “Dhuna në familje”, dhe vendosi masën e sigurimit personal (shtrënguese) “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Hetimet për ngjarjen tragjike vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e saj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co