Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri të hënën thirrje aleatëve që të shfaqin të njëjtin “unitet” ndaj Ukrainës siç bënë ndaj Izraelit kur penguan sulmet ajrore iraniane ndaj Izraelit gjatë fundjavës.
“Duke mbrojtur Izraelin, bota e lirë ka treguar se një unitet i tillë jo vetëm që është i mundur, por është 100 për qind efektiv”, tha Presidenti Zelenskyy. Në një postim në rrjetin Telegram, Presidenti Zelenskyy falenderoi aleatët që kishin dërguar më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore ukrainase, por tha se “intensiteti i sulmeve ruse kërkon unitet më të madh”, të njëjtë si ajo që treguan për mbrojtjen e Izraelit.
“E njëjta gjë është e mundur për mbrojtjen e Ukrainës nga terrori, e cila, si Izraeli, nuk është anëtare e NATO-s”, vazhdoi ai. Ai bëri thirrje që aleatët e Ukrainës të dëshmojnë më shumë “vullnet politik”, pasi Ukrainës po i mbarojnë municionet dhe ka dëshpërimisht nevojë për më shumë mbrojtje ajrore për të zmbrapsur sulmet ruse. Presidenti Zelenskyy lëshoi thirrjen e tij të fundit për ndihmën e aleatëve, duke thënë se Rusia po shkakton “dëme të konsiderueshme” çdo ditë.
Paketa e ndihmës amerikane
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, pritet të vendosë këtë javë se si do të veprojë me projektligjin me fondet shtesë prej 95 miliardë dollarësh të Presidentit Joe Biden, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin. Projektligji parashikon mbështetje partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit si dhe ndihmë për kufirin SHBA-Meksikë. Paketa u miratua nga Senati, por është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co