Pas përballjes me zjarre të fuqishme në zonat pyjore, Kili ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Nga zjarret kanë humbur jetën 51 persona, ndërkohë që numri i tyre mund të rritet. Presidenti kilian Gabriel Boriç në një deklaratë televizive të shtunën tha se Ministria e Mbrojtjes do të vendosë më shumë njësi ushtarake në zonat e prekura, me të gjitha burimet e nevojshme të vëna në dispozicion. “Duke pasur parasysh kushtet e tragjedisë, numri i viktimave me siguri do të rritet në orët e ardhshme”, tha Boriç.
Deklarata u bë për provincat Marga Marga dhe Valparaíso, tha delegati presidencial i Valparaíso Sofía González Cortés. Një shtetrrethim u vendos në disa komuna midis orës 8 të mëngjesit dhe mesditës me kohën lokale për të lehtësuar vendosjen e mbështetjes emergjente dhe logjistike.
Rreth 92 zjarre aktive po digjen në pjesë të ndryshme të vendit dhe deri më tani kanë prekur rreth 43,000 hektarë, tha Ministrja e Brendshme Carolina Tohá. Sakaq, zjarrfikësit kanë kontrolluar 40 zjarre dhe janë ende duke luftuar me 29, ndërkohë që një person është arrestuar për zjarrvënien.
Sipas policisë, burri ishte në shtëpinë e tij në qytetin Talca në Kilin qendror duke bërë punë saldimi kur një zjarr filloi aksidentalisht dhe u përhap në kullotat aty pranë. I dyshuari do të dalë në gjyq të dielën në Talca, sipas Prokurorisë së Maule. Një nga zjarret ka djegur rreth 6,800 hektarë, ndërsa në Valparaiso kanë dëmtuar gjithashtu rreth 1,100 shtëpi.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co