Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi Kinës të ndalojë mbështetjen e saj ndaj Rusisë në luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
“Ne po shikojmë vendet që po mbështesin bazën industriale të mbrojtjes ruse, e cila po i lejon Rusisë të vazhdojë luftën, duke përfshirë Kinën,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Uashington me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg .
Shtatëdhjetë përqind e veglave të makinerive që Rusia po importon vijnë nga Kina, tha Bliken, duke shtuar se 90% e mikroelektronikës vijnë gjithashtu nga Kina.
“Dhe kjo i ka mundësuar Rusisë të mbajë atë bazë industriale të mbrojtjes, të mbajë në lëvizje makinën e luftës, të vazhdojë luftën. Pra, kjo duhet të ndalet,” tha Blinken, duke shtuar se SHBA vazhdon të japë mbështetjen e nevojshme për Ukrainën.
“Ne duam të sigurohemi që Ukraina të jetë një sukses, që të qëndrojë fuqishëm në këmbët e veta, ushtarakisht, ekonomikisht, demokratikisht dhe kjo është pikërisht ajo që ne po ia mundësojmë Ukrainës të bëjë”, theksoi ai.
Stoltenberg tha se lufta e Rusisë është një “sulm brutal” ndaj një kombi demokratik paqësor.
“Kjo luftë mbështetet nga Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Ata duan të shohin dështimin e Shteteve të Bashkuara. Ata duan të shohin dështimin e NATO-s. Nëse ata kanë sukses në Ukrainë, kjo do të na bëjë më të prekshëm dhe botën më të rrezikshme.
“Pra, mbështetja jonë për Ukrainën nuk është bamirësi. Është në interesin tonë të sigurisë,” tha ai.
Stoltenberg u takua me anëtarët e Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë , duke përfshirë udhëheqësin e pakicës së Senatit Mitch McConnell dhe anëtarët e Grupit të Vëzhguesve të Senatit të NATO-s.
Ai do të udhëtojë në Otava ditën e sotme për të takuar kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Stoltenberg do të kthehet në Uashington të enjten për të takuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe ligjvënësit amerikanë.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co