PARIS – Në Paris u zhvilluan protesta kundër një aktiviteti të organizuar nga figurat e së djathtës ekstreme në përkrahje të Izraelit. Në aktivitet, që synonte mbledhjen e fondeve për ushtrinë izraelite, ishte ftuar Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich.
Protesta u mbajt në prag të një ndeshje futbolli që do të mbahet në stadiumin kombëtar të Francës kundër ekipit kombëtar të Izraelit, e cila do të zhvillohet në një kohë tensionesh për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme. Autoritetet në Paris njoftuan se mbi 4 mijë policë dhe 1,600 punonjës të stadiumit do të dislokohen për lojën.
Ministri Smotrich, një përkrahës i zëshëm i vendbanimeve të kolonëve izraelitë, pritej të merrte pjesë në aktivitetin e së mërkurës, që mbante titullin “Izraeli është i Përjetshëm”, i cili u organizua nga një shoqatë që mban të njejtin emrin. Grupi thotë se qëllimi i tij është “mobilizimi i forcave zioniste franko-folëse”.
Pas kritikave të shtuara të ditëve të fundit, zyra e ministrit Smotrich konfimoi të mërkurën se ai nuk do të merrte pjesë në aktivitetin e Parisit.
Por ftesa drejtuar ministrit Smotrich u kritikua ashpër nga shoqatat vendase, sindikatat dhe partitë e krahut të majtë, duke nxitur dy protesta në kryeqytetin francez. Ministri, një drejtues i kolonëve që i takon vijës së ashpër, është akuzuar se po nxit tensionet në Bregun Perëndimor. Deklarata e tij ku ai u shpreh optimist se zgjedhja e Presidentit amerikan Donald Trump do t’i hapte rrugë aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli, hap që do të shuante ëndrrat për krijimin e shtetit palestinez – u dënua gjerësisht nga opinioni ndërkombëtarisht.
Ministria e Jashtme franceze i quajti deklaratat e ministrit Smotrich “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” dhe kundërproduktive ndaj përpjekjeve për të ulur tensionet rajonale.
“Franca përsërit angazhimin e saj për zbatimin e një zgjidhjeje me krijimin e dy shteteve, me një Izrael dhe Palestinë që jetojnë krah për krah me njëra tjetrën, në paqe dhe siguri, që është edhe mundësia e vetme për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Kritikët po ashtu iu referuan presidents së shoqatës “Izraeli është i Përjetshëm”, Nili Kupfer-Nauri, e cila vitin e kaluar kishte nxitur shqetësime, pasi pas fillimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, kishte postuar në rrjete sociale se “asnjë civil në Gazë nuk ishte i pafajshëm”.
Të mërkurën në mbrëmje, disa qindra protestues marshuan në rrugët qendrore të Parisit, duke e quajtur aktivitetin si një “mbrëmje të urrjetjes dhe turpit”.
“Imagjinoni sikur një shoqatë të organizonte një mbrëmje për Hezbollahun ose Hamasin – policia kurrë nuk do të kishte lejuar diçka të tillë”, tha protestuesi Melkir Saib. “Kjo situatë është thjesht e padrejtë”.
Marshimi ishte kryesisht paqësor, por protestuesit thyen dritaret në një restorant McDonald’s përgjatë rrugës.
Përkrahësit e një grupi tjetër, që përfshin organizata hebre të majta që kundërshtojnë racizmin dhe anti-semitizmin, u mblodhën në afërsi të Harkut të Triumfit, prej nga brohoritën parulla kundër Ministrit Smotrich.
Autoritetet franceze mbrojtën zhvillimin e aktivitetit. Shefi i policisë së Parisit Laurent Nunez tha se ai “nuk paraqiste kërcënim për rendin publik”.
Protesta e së mërkurës u organizua vetëm disa ditë pas protestave të ngjashme në Paris dhe Amsterdam lidhur me konfliktet në Lindjen e Mesme.
Një flamur i madh me mbishkrimin “Liri për Palestinën” u shfaq gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndërmjet ekipit francez Paris Saint-Germain dhe Atleticos së Madridit, ndërkohë që dhuna shpërtheu në Amsterdam javën e kaluar ndaj tifozëve të një klubi izraelit futbolli./VOA