Evazion fiskal me dëm rreth 200 mln euro, SPAK hetime të përbashkëta me EPPO, 14 të arrestuar në 17 shtete

evazion fiskal me dem rreth 200 mln euro spak hetime te perbashketa me eppo 14 te arrestuar ne 17 shtete
evazion fiskal me dem rreth 200 mln euro spak hetime te perbashketa me eppo 14 te arrestuar ne 17 shtete

SPAK, teksa ka kryer hetime në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), ka zbuluar një bandë të strukturuar kriminale, që akuzohet për evazion fiskal me dëm rreth 200 milionë euro. Raportohet për 14 të arrestuar në 17 shtete.

Gjatë kontrolleve, forcat e rendit sekuestruan sasi të mëdha telefonash inteligjentë, me vlerë më shumë se 15.3 milionë euro, si dhe një jaht me vlerë 3 milionë euro dhe 1.2 milionë euro para të gatshme dhe kriptomonedha. Janë sekuestruar disa makina, duke përfshirë një Rolls-Royce, një BMW dhe një Range Rover. Në banesat e të dyshuarve janë gjetur edhe stoli, ora luksoze dhe 2.5 kg ar. Çështja është një mashtrim i dyshuar i TVSH-së – një skemë komplekse kriminale që përfiton nga rregullat e BE-së për transaksionet ndërkufitare ndërmjet shteteve të saj anëtare, pasi këto janë të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH). Pretendohet se, që nga viti 2017, një kompani gjermane ka udhëhequr skema të ndryshme të mashtrimit të TVSH-së që përfshijnë tregtinë e produketeve të vogla elektronike, përfshirë smartphon-at. Në vitin 2020, të njëjtët organizatorë të kësaj skeme besohet se kanë hyrë në treg për maskat mbrojtëse të fytyrës. Gjatë pandemisë Covid-19, maskat mbrojtëse për fytyrën ishin shumë të kërkuara.

Në letër, kompania e tyre ishte me bazë në Hong Kong, por maskat për fytyrën ishin në të vërtetë në një magazinë në Gjermani dhe mbetën atje derisa Ministria Federale Gjermane e Shëndetësisë i bleu ato nga kompania me seli gjoja në Hong Kong. Sipas hetimit, as kompania në fillim të zinxhirit të furnizimit, as kompania me bazë në Hong Kong, nuk e rimbursuan TVSH-në që kishin marrë pas shitjes së maskave për fytyrën në ministri.

NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), ka ndjekur hetimet për Operacionin e koduar “Cluster Midas”, për veprën penale “Evazioni Fiskal”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Këto aktivitete janë kryer duke krijuar fatura fiktive me qëllimin e rimbursimit të TVSH-së, si dhe shmangien e detyrimeve fiskale.

Dëmi i kryer nga këto aktivitete llogaritet të jetë 195 milion Euro, i cili është i shpërndarë në 17 shtete kryesisht Evropiane. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD), janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.

Ky hetim është shtrirë në 17 shtete (Shqipëri, Austri, Kroaci, Qipro, Çeki, Estoni, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar), duke kryer më shumë se 180 kontrolle, si dhe janë arrestuar 14 shtetas. Më shumë se 680 hetues të ndryshëm janë angazhuar për të realizuar këto veprime hetimore. Për më shumë informacion në lidhje me këtë hetim, do ta gjeni në faqen zyrtare të Zyrës së Prokurorit Publik Europian, ose në link-un.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co