Sport

Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ja vendimet që u morën

mblidhet asambleja e pergjithshme e shoqates rajonale te futbollit gjirokaster ja vendimet qe u moren
mblidhet asambleja e pergjithshme e shoqates rajonale te futbollit gjirokaster ja vendimet qe u moren

U zhvilluan ditën e sotme punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike për këtë qark sportiv i cili përfshin bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Dropull, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 7 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 8 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2024, miratimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025, miratimin e statutit të ri si edhe ndryshimin e adresës së selisë së SHRFGJ-së. Gjithashtu u ngritën edhe disa probleme konkrete që janë prezent në këto bashki, si ai i shpopullimit të zonës.

I pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përshëndeti punimet e Asamblesë dhe i garantoi anëtarët e SHRFGJ-së se Federata Shqiptare e Futbollit do t’i mbështesë gjithmonë me projekte konkrete, për të ndihmuar sa më shumë në zhvillimin e futbollit.

“Ajo që ne kemi udhëzuar dhe duam të jetë si strategji në të gjithë Shqipërinë është bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës së akademive. Më të mirët të jenë në rrugën e profesionalizmit dhe akademitë të kenë si objektiv masivitetin. Suksesi i qëndrueshëm është organizimi i shtëpisë, organizimi i familjes, organizimi i asaj që ne kemi të përbashkët. Me këtë formë organizative, me shoqata rajonale, klube profesioniste, me baraspeshë mes tyre dhe me shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin.

Ne kemi vazhduar projekte dhe kemi qenë të suksesshëm me projektet në të gjithë Shqipërinë, me projektet e futbollit në shkolla, me programin “playmakers” e disa projekte të tjera. Kemi vazhduar projektin dhe në shoqatën e Gjirokastrës, me projektin ‘Topi Yt’ i cili është në edicionin e tetë, apo projekti ‘Uniforma ime’. Viti 2023 për futbollin shqiptar ka qenë një vit i suksesshëm për numrin rekord të historisë së futbollistëve, vajza dhe djem të regjistruar në Federatën Shqiptare të Futbollit”- tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.


Asambleja nisi me verifikimin e mandatëve të delegatëve të pranishëm, ndërsa kryetari i SHRFGJ, Sadik Sadikaj, mbajti një fjalim të shkurtër ku prezantoi para të pranishmëve aktivitetet e zhvilluara nga kjo shoqatë si edhe objektivat e arritura gjatë vitit 2023.

Ai shtoi se synimi kryesor mbetet rritja e ekipeve dhe rritja e numrit të lojtarëve të angazhuar me  futboll, teksa tha se ky objektiv do të bëhet realitet përmes investimeve që FSHF po kryen në bashkëpunim me pushtetin lokal.

Kryetari i SHFRGJ, Sadik Sadikaj, shpalosi edhe objektivat për të ardhmen që janë: ndërtimi i tre fushave në këtë qark, krijimi i kampionatit për grup-moshën U7 dhe U19, zhvillimi për herë të parë i kampionatit midis shkollave në të gjithë qarkun e jugut, rritja e numrit të futbollisteve në të gjitha grup-moshat dhe krijimin e ekipeve të vajzave nëpër shkolla.

Më pas u vijua me rendin e ditës, teksa u miratuan pasqyrat financiare, buxheti për vitin 2024 si edhe ndryshimet në statutin e shoqatës. U miratua edhe rregullorja e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.

Gjithashtu, Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër ju shtua edhe një anëtar i ri me të drejta të plota që është: “Shoqata Akademia e Futbollit Memaliaj”. SHRFGJ në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së do të përfaqësohet nga Sadik Sadikaj si delegat.

Në fund, u miratua edhe ndryshimi i adresës së selisë së SHRFGJ, që do të jetë lagja “18 shtatori”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts