Sulmet në zemër janë kthyer në një kërcenim për botën e futbollit. Ajo që ndodhi me Dwamena-n nuk ishte një rast i izoluar, por ngjarje të tilla vijojnë të shqetësojnë, duke ndezur “alarmin e kuq”. Për fat të mirë, rasti i Evan Ndicka-s, mbrojtësi i Roma-s, pati një tjetër përfundim. Në minutën e 71-të, Ndicka u shtri në tokë duke bërë me shenjtë nga gjoksi.
Gjyqtari i takimit ndali lojën, ndërsa ndërhyrja e stafit mjekësor ishte e shpejtë duke e shoqëruar menjëherë drejt dhomave të zhveshjes, më pas në spital. Lojtarët e kishin të pamundur për të vijuar këtë takim, duke bërë që ndeshja Udinese-Roma të ndërpritej përfundimisht, sfidë e cila do të rikuperohet në një moment të dytë duke nisur nga minuta e 71-të.
Evan Ndicka vijon të jetë i shtruar në spital, por në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Ekipi i Romës, qëndroi në autobus, pranë spitalit në Udine, ndërsa trajneri De Rossi u fut në spital për të parë nga pranë gjendjen e lojtarit. Duke dalë, De Rossi i mjaftuan vetëm me fjalët: “Mirë, mirë”.
Të gjithë mendonin se kishte të bënte me një infarkt, por analizuat e para hodhën poshtë këtë hipotezë. Jo vetëm tifozët e Romës, por të gjithë ishin në ankth për gjendjen e Ndicka-s, ndërsa klubi i Romës u kujdes për të qetësuar situatën duke publikuar një foto të mbrojtësit nga Bregu i Fildishtë nga spitali i Udines:
“Evan ndihet mirë, është edhe në humor të mirë. Ai do të qëndrojë në spital, për të qenë nën kujdesin e mjekëve”, lexohet në statusin e klubit verdhekuq.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co