Policia në Tiranë ka kryer një operacion të suksesshëm antidrogë, teksa u kap 1 kilogram kokainë dhe në pranga kanë përfunduar shtetasit Enea Sulejmani, Igli Begaj 20 vjeç dhe Shkëlqim Ostreni 26 vjeç.
AMP me anë të një deklarate për mediat, ka dhënë detaje nga operacioni. Bëhet me dije se mes të arrestuarve dhe policisë ka pasur një përplasje. Për shkak të rezistencës ndaj policisë, efektivët kanë përdorur armë zjarri. Plumbat kanë shpuar derën e makinës ku transportohej droga, ku i plagosur ka mbetur shtetasi Enea Sulejmani.
Njoftimi:
Në datë 21.03.2024, në Rrugën “Mihal Duri’ Tiranë, strukturat për Hetimin kundër Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë veprimeve policore në funksion të një procedimi penal, me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim, kanë hasur në kundërshtimin dhe mosbindjen e disa shtetasve, ku njëri prej tyre, duke drejtuar automjetin tip “Tiguan”, në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.
Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kerkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co