Nga dëmtimi i rëndë i 19-vjeçarit nga Kenia te synimet me Apoloninë, Jasin Rajab zbërthen sezonin

nga demtimi i rende i 19 vjecarit nga kenia te synimet me apolonine jasin rajab zberthen sezonin































Jasin Umar Rajab është një prej lojtarëve që ka lënë shenjë te fierakët në sezonin që sapo përfundoi, por dëmtimi ia ndërpreu disi ecurinë pozitive. Ndonëse në Kategorinë e Parë nuk shënoi asnjë gol përgjatë 15 ndeshjeve të luajtura, mesfushori Jasin Umar Rajab është “ylli” i kësaj Apolonie.

jasin apolonia

Keniani i afruar në merkaton e verës u kthye në liderin e fierakëve në fazën e avancuar, duke qenë rreziku numër një për kundërshtarët. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 19-vjeçari tregon situatën e këtij sezoni, që nga shkëlqimi në mesfushë e deri te dëmtimi i rëndë që i ndali ecurinë pozitive.

Më 17 mars, pësuat një dëmtim të rëndë dhe humbët ndoshta pjesën më të rëndësishme të sezonit. Si kanë qenë këto muaj?

Kanë qenë muaj të vështirë dhe mbi të gjitha tejet sfidues, pasi dëmtimi i pësuar më 17 mars ishte i rëndë dhe kërkonte kohë të gjatë rikuperimi. Falë Zotit, i shpëtova operacionit dhe dita-ditës po përmirësohem duke bërë terapinë përkatëse te fizioterapisti.

Duke mos qenë dëmtimi i parë i pësuar, e patët më të lehtë këtë herë?

Jo, sado që isha i qetë dhe i fokusuar në çdo seancë terapie te fizioterapisti. Kjo ishte më e pakta dhe më e mira në fakt, pasi në fillim u diskutua seriozisht ndërhyrja kirurgjikale dhe gjërat po dukeshin shumë më të vështira. Këtë periudhë tejet sfiduese e kalova me qetësi, durim, forcë dhe mbi të gjitha besim, duke bërë siç duhet atë që më është kërkuar nga mjekët.

Në momentin tuaj më të mirë vjen ai dëmtim i rëndë. Ju vjen keq?

Normalisht që më vjen keq dhe e kam përjetuar shumë. Futbolli i ka këto situata, me ulje-ngritje. Ka dyluftime të ashpra dhe agresivitet, sidomos në ndeshje vendimtare. Kam reflektuar shumë pas atij dëmtimi. Kam kuptuar që duhet të jem më i kujdesshëm dhe mund të them se është diçka që do të më shërbejë edhe më shumë që të rritem.

Pritët me durim momentin tuaj në stol dhe u kthyet menjëherë në një pikë të rëndësishme të ekipit, si do ta vlerësonit sezonin tuaj?

Isha i bindur që do të ndodhte një gjë e tillë, pasi Apolonia u jep mundësi aktivizimi të rinjve, qofshin ata vendas apo të huaj. Pra, e dija që do të vinte një ditë e tillë dhe çdo moment punoja fort për të pritur shansin tim. Ky nuk ishte dhe as nuk është kurrsesi maksimumi im, pasi nuk kam gëzuar formën më të mirë fizike. E quaj veten pafat, sepse pësova dy dëmtime të rënda dhe u ndala pikërisht në momentin tim më të mirë.

Nga ana tjetër, Apolonia nuk arriti dot të ngjitet në Superiore. Si u ndjetë kur skuadra u eliminua me penallti nga Flamurtari?

Nuk ia dolëm, se fillimisht humbëm shumë pikë në kampionat. Sigurisht që u ndjeva keq, por kjo është pjesë e rrugëtimit të gjatë. Për një moment, mendova se fitorja dhe njëkohësisht kualifikimi historik ishte 100% në dorën tonë, edhe si pasojë e daljes me të kuq të mbrojtësit të Flamurtarit. Por nuk arritëm të krijojmë sa dhe si duhet rrjedhshmëri loje dhe më pas të finalizonim me sukses. Pastaj, penalltitë janë më shumë çështje fati dhe jo gjithmonë fiton më i miri.

Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen e afërt?

Ambiciet e mia janë që të jap maksimumin me Apoloninë dhe të rritem edhe më shumë në aspektin individual dhe atë kolektiv. Si çdo lojtar, ëndrra mbetet që të hedh hapin e madh për të kapur një prej kampionateve më të rëndësishëm dhe cilësorë të Europës.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →