Policia e Tiranës ka vënë në pranga 38-vjeçarin, Elton Vokrri banues në Kurbin, pasi gjatë protestës së thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para bashkisë së Tiranës ditën e djeshme (21 maj) ka hedhur lëndë plasëse në drejtim të efektivëve të policisë.
Ai akuzohet për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Po ashtu autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë edhe tre shtetas të tjerë, banues në Krujë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 21.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:
– E. V., 38 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 16 maj, në lidhje me protestën e datës 14 maj 2024.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit K. B., 21 vjeç, S. J., 41 vjeçe, të dy banues në Tiranë, dhe S. B., 49 vjeç, banues në Krujë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co