Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck mendon se Gjermania ka nevojë për një industri të fortë armatimi, sepse gjendja e sigurisë në botë ka ndryshuar dhe rreziqet dhe kërcënimet janë shtuar.
Gjermania duhet të jetë e aftë për të mbrojtur sigurinë e vendit tha pas një takimi me përfaqësues të industrisë së sigurisë dhe të mbrojtjes, zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck. Ai theksoi nevojën për një industri të fortë armatimesh në Gjermani.
“Ne duhet ta kuptojmë se kemi nevojë për këtë industri, sepse gjendja e sigurisë në botë ka ndryshuar dhe rreziqet dhe kërcënimet janë shtuar.” Prandaj mosreflektimi ndaj tyre do të ishte naivitet, theksoi Robert Habeck.
Politikani i partisë ekologjike tha se është e rëndësishme t’u jepet hapësirë pyetjeve, shqetësimeve dhe frikës në lidhje me shtimin e prodhimit të armatimeve, por këtu bëhet fjalë për aftësinë e Gjermanisë për t’u vetëmbrojtur, gjë që do të thotë madje edhe me mjete ushtarake.
Habeck tha se industria e armatimit në Evropë ka ende orientim kryesisht në nivel kombëtar, por bashkëpunimi është i rëndësishëm. “Vëllimi i parave që shpenzon Evropa nuk është i vogël, por ne jo gjithmonë i shpenzojmë paratë në mënyrë efektive” – tha Habeck. Prandaj tani nevojitet një treg i përbashkët prokurimi.
Habeck-u njoftoi se qeveria gjermane do të vazhdojë diskutimet me përfaqësuesit e industrisë së armatimeve.
Pas sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022 qeveria gjermane ka ndryshuar prioritetet e saj. Për të modernizuar Bundeswehr-in u krijua një fond prej 100 miliardë eurosh dhe u rrit edhe buxheti i mbrojtjes./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co