Sport

Gvozdenoviç apel ekipit, në Kukës ndryshon 11-shja për Skënderbeun

gvozdenovic apel ekipit ne kukes ndryshon 11 shja per skenderbeun
gvozdenovic apel ekipit ne kukes ndryshon 11 shja per skenderbeun

Skënderbeu është i përqendruar maksimalisht te ndeshja e radhës në kampionat kundër Kukësit në transfertë. Një ndeshje e vështirë për Skënderbeun, që kërkon të marrë maksimumin për të mos pasur më probleme sa i përket qëndrimit në elitë. Një gjë të tillë ka kërkuar edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç nga të tijtë në përgatitjet për ndeshjen e radhës. Në kushtet kur ekipi është vetëm katër pikë larg zonës së nxehtë të mbijetesës, lind detyra për të mbyllur sa më shpejt llogaritë për të qëndruar pa probleme në Superiore.

Kjo edhe për vetë faktin se javët e fundit mund të sjellin situata të ndryshme që të komprometojnë gjithë kampionatin. Për këtë trajneri i Skënderbeut ka kërkuar nga të tijtë përqendrim maksimal dhe përgjegjshmëri për të mos gabuar në një takim kaq të rëndësishëm. Gjë, që Gvozdenoviç ia ka përsëritur vazhdimisht ekipit në seancën e fundit. “Jemi në një moment kyç të sezonit, prandaj duhet të bëjmë maksimumin për të mos gabuar dhe me qëllimin që të mos vështirësojmë ecurinë tonë në këtë sezon. Mbeten edhe pesë javë nga fundi i kampionatit dhe do të jenë javë shumë të vështira ndaj është e udhës që të mbyllim sa më shpejt llogaritë tona. Le të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, pasi është një takim i vështirë dhe shumë delikat. Duhet maksimumi nga të gjithë ne. Prandaj kërkoj nga ju që të bëni atë që i takon kësaj fanelle. Çdo minutë nga tani e deri në fund vlen shumë. E në të tilla kushte duhet një ekip i bashkuar dhe i vendosur për objektivin final”, iu drejtua ekipit trajneri bardhekuq.

SKUADRA – Për ndeshjen e së premtes ndaj Kukësit Gvozdenoviç do të ketë një ekip të plotë në dispozicion. Ndaj edhe është e mundur që të bëjë zgjedhjet e duhura për sa i përket formacionit që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Ndryshe nga ndeshja me Teutën duket se kryepankina korçare do të vendosë për një formacion tjetër, ku nga rreshtimi 3-5-2, do të kalojë me një 4-2-3-1 të pastër. Kjo për vetë faktin se kërkon një ekip të balancuar në dy fazat. Nga porta do ta nisë Marko Alia, teksa para tij do të rreshtohen Vangjeli nga e djathta dhe Gerço nga e majta. Në qendër Randi dhe Prençi do të kompletojnë të gjithë repartin. Para mbrojtjes do të vendosen Rabiu, i rikthyer nga pezullimi dhe Janaqi, që ka bindur në ndeshjet e fundit. Më të avancuar pritet të jenë Lika dhe Nikaj me kapitenin Liço në rolin e fantazistit për të mbështetur në majë të sulmit Rashicën, që rikthehet nga minuta e parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts